Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Piacenza në Itali, ku një 60-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën ku jetonin.
Sipas mediave italiane, i dyshuari Hako Vitanov ka telefonuar vetë numrin emergjent 112 menjëherë pas ngjarjes, duke deklaruar: “Ejani, kam vrarë gruan time”.
Policia dhe karabinierët kanë mbërritur menjëherë në apartamentin e çiftit, i cili ndodhet në katin e gjashtë të një ndërtese në periferi të Piacenzës. Brenda banesës është gjetur pa shenja jete 56-vjeçarja Milena Vitanova, e shtrirë pranë divanit në sallon. Pranë trupit është gjetur edhe një thikë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë krimit.
Sipas hetimeve të para, viktima kishte lëndime në duar, çka lë të kuptohet se ka tentuar të mbrohej gjatë sulmit.
Pas telefonatës në polici, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe për disa orë nuk dihej vendndodhja e tij. Më vonë, autoritetet e kanë lokalizuar pranë varrezave monumentale të Piacenzës, afër varrit të djalit të tij të ndjerë. Mediat raportojnë se ai kishte tentuar t’i japë fund jetës duke prerë damarët, por është ndaluar nga policia dhe më pas është dërguar në komisariat.
Çifti kishte katër fëmijë, ndërsa dy prej tyre, sipas raportimeve, ishin larguar te një i afërm pak para tragjedisë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime për zbardhjen e plotë të rastit.
