Imeri Stafai i drejtohet Ahmetit për deklaratën për Grubin: “Pse je kaq i sigurt?”

Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se Artan Grubi është i pafajshëm dhe se do të shpallet i pafajshëm.

Në një reagim në rrjetet sociale, Imeri Stafai ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si Ahmeti shprehet me siguri për përfundimin e një procesi që është ende në shqyrtim gjyqësor.

“Vallë, Ali, nga të vjen kjo siguri? A e di ti paraprakisht se çfarë do të vendosë gjykata?”, ka shkruar ajo.

Deputetja e VLEN-it e ka lidhur reagimin e saj edhe me çështjen e pavarësisë së drejtësisë, duke kërkuar nga Ahmeti të shpjegojë se mbi çfarë bazohet bindja e tij për pafajësinë e Grubit.

“Ali, mos na trego vetëm që Artani është i pafajshëm. Na trego pse je kaq i sigurt!”, përfundon reagimi i saj.

Ndërkohë, Artan Grubi është duke u përballur me procedurë gjyqësore lidhur me rastin e Lotarisë Shtetërore dhe përgjegjësinë eventuale penale do ta përcaktojë gjykata.