Kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Debrcës

Policia e Ohrit ka ngritur kallëzim penal ndaj Zoran Nogacheskit (60), ish-kryetar i Komunës së Debrcës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai dyshohet se gjatë periudhës 2017–2025, në ushtrimin e funksionit të tij si kryetar komune, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personave fizikë dhe juridikë që kishin detyrime për pagesën e tatimit në pronë.

Autoritetet theksojnë se nuk është realizuar as rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në territorin e komunës, gjë që sipas hetimeve ka ndikuar në mosarkëtimin e të hyrave të caktuara komunale.

Si pasojë, dyshohet se buxheti i Komunës së Debrcës është dëmtuar për 431.245 denarë.

Pas grumbullimit të provave dhe dokumentimit të rastit, kallëzimi penal është dorëzuar në prokurorinë kompetente për procedim të mëtejshëm.