Të rinjtë në Maqedoni largohen nga shtëpia e prindërve në moshën 30.7 vjeç

Të rinjtë në Maqedoni largohen nga shtëpia e prindërve mesatarisht në moshën 30.7 vjeç, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është 26.3 vjeç, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025.

Sipas të dhënave, të rinjtë qëndrojnë më gjatë me prindërit në Kroaci, me një moshë mesatare prej 31.5 vjeç, e ndjekur nga Greqia dhe Sllovakia me nga 30.9 vjeç, ndërsa në Spanjë dhe Itali mesatarja është 30.2 vjeç.

Në anën tjetër, largimi nga shtëpia prindërore ndodh shumë më herët në disa vende të Evropës. Në Finlandë mosha mesatare është 21.4 vjeç, në Danimarkë 21.8, ndërsa në Estoni dhe Lituani nga 22.7 vjeç.

Edhe në vendet e rajonit të Ballkanit, të rinjtë qëndrojnë relativisht gjatë me prindërit. Në Serbi, mosha mesatare e largimit është 30.1 vjeç, në Bosnjë dhe Hercegovinë 29.5 vjeç, ndërsa në Bullgari 27.9 vjeç.

Eurostat vëren një tendencë në Evropë që të rinjtë të qëndrojnë më gjatë në shtëpinë e prindërve dhe e lidh këtë edhe me situatën e tyre në tregun e punës.

Në vitin 2025, shkalla e punësimit për të rinjtë e moshës 20 deri në 29 vjeç në BE ishte 65.5%. Në përgjithësi, vendet ku të rinjtë largohen më herët nga shtëpia prindërore kanë edhe norma më të larta punësimi.

Në vende si Holanda, Danimarka, Gjermania dhe Suedia, ku të rinjtë priren të largohen më herët nga familja, shkalla e punësimit të kësaj grupmoshe ishte mbi mesataren e BE-së. Ndërsa në vende si Greqia, Kroacia, Spanja dhe Italia, ku largimi ndodh më vonë, punësimi i të rinjve ishte nën mesataren e BE-së.

Në Maqedoninë e Veriut, shkalla e punësimit të të rinjve në vitin 2025 ishte 50.2%.