Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), duke e ngarkuar për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Sipas Prokurorisë, nga korriku i vitit 2021 deri në mars 2024, i akuzuari ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar urdhra udhëtimi për vete dhe për punonjës të tjerë, të cilët janë paraqitur si udhëtime zyrtare jashtë vendit, ndonëse nuk kishin lidhje me detyrën.
Hetimet tregojnë se ai ka përdorur për nevoja personale avionin qeveritar Learjet 60, ndërsa shpenzimet e udhëtimeve, akomodimit dhe shërbimeve hotelerike i ka mbuluar përmes mjeteve të institucionit. Me këto veprime, sipas Prokurorisë, buxheti është dëmtuar për 2.562.139 denarë.
Në një rast tjetër, ish-drejtori akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme pasi ishte informuar se një pilot nuk i plotësonte kushtet për të drejtuar avionin qeveritar. Pavarësisht kësaj, ai nuk kërkoi kthimin e shpenzimeve të trajnimit dhe nuk inicioi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke i shkaktuar buxhetit edhe 5.431.624 denarë dëm.
Aktakuza përfshin edhe dyshime për falsifikim të dokumentacionit gjatë procedurave të prokurimit publik për marrjen me qira të automjeteve. Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka deklaruar në mënyrë të rreme se nuk kishte konflikt interesi, ndërsa hetimet zbuluan se ai dhe bashkëshortja e tij kishin përdorur pa pagesë automjete të kompanisë që kishte fituar kontratat me institucionin.
Ndërkohë, hetimi ndaj pronarit të kompanisë së automjeteve është mbyllur, pasi Prokuroria njoftoi se nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të dëshmuar se automjetet janë ofruar si ryshfet për të ndikuar në procedurat e tenderimit.
