Kejvina Kthjella ka dhënë dëshminë e saj në polici lidhur me zhdukjen e 8 mijë eurove, të cilat pretendon se ia kishte lënë për ruajtje një shoqeje të saj, Anela Osmani.
Sipas rrëfimit të modeles, ajo do të largohej për disa ditë drejt Lezhës dhe, nga frika se paratë mund t’i merrte pastruesja e shtëpisë, vendosi t’ia besonte shoqes së lagjes, me të cilën kishte krijuar miqësi duke pirë kafe.
Kejvina ka deklaruar se Anela ishte vetë ofruar t’ia ruante shumën në kasafortën e saj, ndërsa paratë ishin kursime të mbledhura ndër vite dhe planifikonte t’i investonte në një biznes të vogël.
Sipas dëshmisë, kur modelja është kthyer në Tiranë dhe ka kërkuar paratë, ka marrë justifikime të ndryshme, duke filluar nga probleme me kodin e kasafortës e deri te pretendime për llogari bankare të bllokuara dhe një vjedhje në shtëpi.
Pas hapjes së kasafortës, në të nuk është gjetur asnjë shumë parash, çka ka bërë që Kejvina Kthjella të paraqesë kallëzim në polici.
Ndërkohë, Anela Osmani ka pranuar para policisë se i ka përdorur paratë për shkak të një problemi shëndetësor dhe vështirësive financiare, duke premtuar se do t’ia kthejë shumën brenda një muaji.
