Një grua 41-vjeçare nga rajoni i Shkupit ka përfunduar në polici pasi, nën ndikimin e alkoolit, shkaktoi incidente në Spitalin Klinik të Tetovës.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, rreth orës 03:57 të mëngjesit të 27 qershorit, policia u njoftua se në rrugën “Boris Kidriç”, pranë një objekti hotelierik, ishte gjetur një grua pa ndjenja.
Ajo u transportua me autoambulancë në Spitalin Klinik të Tetovës, ku mjekët konstatuan se bëhej fjalë për G.Sh. (41) nga rrethina e Shkupit, e cila ishte në gjendje të dehur.
Pas trajtimit mjekësor, 41-vjeçarja filloi të sillej në mënyrë agresive ndaj personelit shëndetësor dhe pacientëve që ndodheshin në spital.
Për shkak të sjelljes së saj, policia ndërhyri dhe e shoqëroi në Stacionin Policor të Tetovës, ku u ndalua për procedura të mëtejshme.
