Gjykata e Strugës dënon Ramiz Merkon me 5 mijë euro

Gjykata Themelore e Strugës i ka shqiptuar sot një gjobë prej 5 mijë eurosh ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, lidhur me vendosjen e një pllake përkujtimore në hyrje të objektit të komunës.

Sipas aktakuzës, vendosja e pllakës kishte nxitur urrejtje dhe përçarje etnike mes banorëve të Strugës. Gjykata vlerësoi se Merko është përgjegjës për veprën penale për të cilën akuzohej.

Gjyqtari Jordan Jovanov tha se vendimi është bazuar, ndër të tjera, në mendimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe ekspertizën e Institutit të Historisë Kombëtare.

Në fjalën përfundimtare, Merko e mohoi përfshirjen në vendosjen e pllakës, duke deklaruar se ajo ishte vendosur nga Shoqata e Pensionistëve Shqiptarë gjatë një aktiviteti për alfabetin shqip.

Sipas Merkos, për ekzistencën e pllakës kishte mësuar nga inspektorët shtetërorë të kulturës, të cilët kishin gjobitur Komunën.