Erdogan: Nuk duhet lejuar që Izraeli ta zhytë rajonin në luftë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar sërish qeverinë izraelite, duke e akuzuar se po nxit tensionet në Lindjen e Mesme dhe po pengon përpjekjet diplomatike për uljen e konflikteve.

Sipas Erdoganit, Turqia mbështet çdo iniciativë që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërsa tha se Ankaraja po ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon.

Presidenti turk pretendoi se udhëheqja aktuale e Izraelit e lidh mbijetesën e saj politike me vazhdimin e konflikteve, duke shtuar se situata në Liban dhe Siri mbetet veçanërisht shqetësuese.

“Nuk duhet të lejojmë që qeveria aktuale e Izraelit, e cila është e varur nga lufta, ta zhytë përsëri rajonin tonë në erën e barutit dhe gjakut”, deklaroi Erdogan.

Ai theksoi se Turqia synon një Lindje të Mesme ku të gjithë popujt të jetojnë në paqe, siguri dhe stabilitet, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.