Fazliu: Dashuria për shtetin nuk matet me deklarata, por me atë që ke bërë për qytetarët

Kryetari i Lëvizjes “Arbëria”, Bekim Fazliu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet politike dhe raportin e shqiptarëve me shtetin e Maqedonisë së Veriut, përcjell tetova1

Fazliu, duke iu referuar një vargu nga Karadak Mahalla – Nehas Sopaj, kritikon, siç shprehet ai, “dashninë” e disa liderëve ndaj shtetit, ndërsa thekson se në të njëjtën kohë vendbanimet shqiptare po boshatisen dhe të rinjtë po largohen.

“Pos përçarjes, robëria e soll më t’keqen e madhe: pa dinjitet mbetëm ne, pa respekt për veten tonë; se, shif ti: ne nisëm ta duam pushtuesin plot hale! Ata deshën veten, plus ne i deshëm, ja shëmtia jonë!…”

KARADAK MAHALLA – NEHAS SOPAJ

Fazliu shkruan se përtej emocioneve dhe debatit politik, sipas tij, “janë faktet”, duke theksuar se shqiptarët po përballen me largim të madh nga vendbanimet e tyre.

“Përtej dashnisë, përtej ndarjes së Maqedonisë, përtej emocioneve të “liderëve” që janë magjepsur nga ‘hijeshia’ e saj e po i lënë mendtë e kresë pas Maqedonisë, përtej gjithë këtij debati “romantik”, janë faktet. Dhe faktet janë të pamëshirshme.

Në këtë garë të kësaj “dashnie të madhe”, kur njëri me çdo kusht kërkon të na vërtetojë se e do Maqedoninë më shumë se edhe vetë maqedonasit, vendbanimet shqiptare po boshatisen, familjet po ikin, rinia po e kërkon të ardhmen larg. Sipas të dhënave të regjistrimit, rreth 70% e popullsisë së regjistruar jashtë vendit janë shqiptarë. Vetëm ky fakt duhet të mjaftojë për ta kuptuar se sa e sinqertë është kjo “dashni”.

Dashnia e një ‘lideri’ për një shtet nuk matet vetëm me deklarata besnikërie. Matet me atë që ke bërë për njerëzit që të kanë dhënë pushtetin, jo me atë që ke bërë për pasurinë tënde personale. Çfarë vlere ka të betohesh në dashninë për Maqedoninë, kur pas 20 vitesh pushtet nuk arrite ta bësh atë një shtet ku populli yt dëshiron të jetojë? Ku ndihet i barabartë. Ku ka dinjitet. Ku sheh të ardhmen e fëmijëve të vet. Çfarë vlere ka të betohesh në dashninë për Maqedoninë nga e cila shqiptarët po largohen masivisht?

Pyetja nuk është se kush e do më shumë Maqedoninë. Pyetja është se çfarë dashnie është kjo kur betohesh se e do shtetin aq shumë, ama nuk ke dashur të bësh asgjë për popullin tënd?

Dashni? Çmenduri? Apo tradhti?…”, ka përfunduar Fazliu./tetova1.mk