Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar dy persona nga Velesi, babë e bir, pasi gjatë bastisjeve të kryera në pronat e tyre janë gjetur armë dhe municion pa dokumentacionin e nevojshëm.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 17 qershor 2026, rreth orës 03:20, zyrtarët policorë të SPB Veles kanë privuar nga liria G.A. (49) nga Velesi.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe në objektet ndihmëse, të realizuar me urdhër gjykate, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “Zastava” me karikator dhe 13 fishekë, për të cilën ai nuk posedonte dokumentacionin përkatës. Gjithashtu, është sekuestruar edhe një shumë e konsiderueshme parash.
Nga MPB bëjnë të ditur se më herët ishte raportuar se G.A. për një periudhë të caktuar kishte keqtrajtuar vajzën e tij, i kishte ndaluar asaj daljen nga shtëpia dhe se posedonte armë.
Po ashtu, me urdhër të gjykatës është kryer bastisje edhe në një shtëpi pushimi në fshatin Kapinovë, në komunën e Çashkës, pronë e babait të tij, S.A. (74) nga Velesi. Gjatë kontrollit aty janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta, 71 fishekë, pesë patronë dhe një kondak druri me rrip, pa dokumentacionin përkatës.
Pas bastisjes, edhe S.A. është privuar nga liria, ndërsa të dy të dyshuarit janë ndaluar në stacionin policor.
Prokurori publik është njoftuar për rastin, ndërsa pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse.
