Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka bërë të ditur se Komisioni i huaj që ka shqyrtuar rastet e dyshuara për operacione të panevojshme ka gjetur parregullsi në shumicën e lëndëve të analizuara. Sipas tij, nga 13 raste të shqyrtuara, nëntë prej tyre kanë rezultuar me gjetje të dyshimta lidhur me procedurat kardiokirurgjike dhe udhëzimet për operime.
“Nga gjithsej 13 lëndë, të analizuara në lidhje me dyshimet për operacione të kryera pa nevojë, ose për udhëzime të panevojshme për operacione. Komision i huaj, për 4 pacientë konstatoi se, citoj: Trajtimi i ofruar në tërësi, ka qenë mjekësisht i përshtatshëm, në kohë dhe në përputhje me standardet e pranuara të praktikës klinike në botë. Për 9 pacientë të tjerë, sipas ekspertëve të huaj, po citoj…thotë kështu: Dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë evaluimit diagnostik, psh: mospërputhje ndërmjet rezultateve angiografike nga koronokrafia dhe raportit të shkruar, pas së cilës, ka pasur indikacion të papërshtatshëm për procedura, qoftë endokrino vaskulare, apo kirurgjikale. Lidhur me këto raste, Komisioni vlerëson se, citoj: Disa aspekte të trajtimit dhe të menaxhimit me pacientin, kanë qenë nën standardin e pritur profesional dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik të tyre”, tha mes tjerash Aliu.
