Elijona Binakaj ka ndarë një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale, në një ditë që për të mbetet e mbushur me dhimbje dhe kujtime. Sot do të ishte ditëlindja e 24-të e motrës së saj të ndjerë, e cila humbi jetën në një aksident tragjik që i mori jetën edhe nënës së tyre.
Për të përkujtuar këtë datë, Elijona publikoi një fotografi bardh e zi me motrën e saj, duke shprehur mallin dhe dhimbjen e thellë që vazhdon të ndiejë.
“Deri të takohemi sërish, do të të mbaj gjithmonë në zemër. Urime ditëlindjen në parajsë, Lindushe. Përgjithmonë do të të dua, përgjithmonë do të më mungosh”, ka shkruar ajo në dedikimin e saj emocional.
Elijona më herët kishte ndarë me publikun tragjedinë familjare, kur një aksident rrugor gjatë udhëtimit drejt Kosovës u shndërrua në një humbje të madhe për familjen e saj, duke lënë pas dhimbje të thellë dhe kujtime të paharrueshme.
