Ebola në Kongo: mbi 1,000 raste të konfirmuara, 254 viktima

Numri i rasteve të konfirmuara me virusin Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka kaluar shifrën 1,000, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 254 persona, sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve shëndetësore.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se deri tani janë regjistruar 1,003 raste të konfirmuara laboratorike, me një shkallë vdekshmërie prej 25.3%.

Pothuajse të gjitha rastet janë raportuar në provincën Ituri, në verilindje të vendit, e cila përbën mbi 91% të infektimeve dhe mbi 80% të vdekjeve.

Autoritetet thonë se rritja e rasteve lidhet edhe me përmirësimin e kapaciteteve të testimit dhe diagnostikimit, ndërsa virusi është përhapur edhe në Uganda, ku janë konfirmuar 19 raste dhe dy viktima.

Sipas ekspertëve, shpërthimi aktual i epidemisë lidhet me variantin Bundibugyo të virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik.

  • Ebola mbetet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë, me mijëra viktima të regjistruara në Afrikë gjatë dekadave të fundit.