Pasagjeri kafshon anëtarin e ekuipazhit, avioni i “Qantas” detyrohet të bëjë ulje emergjente

Një incident i pazakontë ka detyruar kompaninë ajrore australiane Qantas të devijojë një fluturim drejt SHBA-së, pasi një pasagjer problematik dyshohet se kafshoi një anëtar të ekuipazhit gjatë udhëtimit.

Aeroplani ishte nisur nga Melbourne drejt Dallasit, por për shkak të situatës emergjente u detyrua të ulej në Papeete, kryeqytetin e Polinezisë Franceze.

Sipas mediave australiane, pasagjeri u neutralizua nga disa udhëtarë të tjerë në bord, ndërsa pas uljes ai u prit nga autoritetet lokale.

Kompania “Qantas” konfirmoi incidentin dhe njoftoi se personit në fjalë i është ndaluar përgjithmonë fluturimi me avionët e saj.

“Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë është prioriteti ynë kryesor dhe kemi tolerancë zero ndaj sjelljes së dhunshme ose destruktive në fluturimet tona”, deklaroi zëdhënësi i kompanisë.