Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi ka njoftuar se Inspektorati Shtetëror i Tregut deri më 20 maj do të zhvillojë kontrolle në të gjitha zinxhirët e marketeve në vend.
Sipas Durmishit, nëse konstatohet rritje e marzhave dhe fryrje e çmimeve, do të ndërmerren masa përkatëse ndaj tregtarëve.
Ai bëri të ditur se aktualisht 30 ekipe inspektuese ndodhen në terren, ndërsa nga të dhënat e katër ditëve të para të kontrolleve është vërejtur ulje e caktuar e çmimeve të frutave dhe perimeve.
Ministri theksoi se gjatë muajit të kaluar është regjistruar rritje e çmimeve të produkteve ushqimore, por njëkohësisht ka pasur edhe ulje të marzhës nga tregtarët me rreth një për qind.
Duke komentuar inflacionin prej 5,7 për qind, Durmishi deklaroi se kjo është pasojë e krizës globale, por shtoi se Qeveria po reagon me masa konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
Ai përmendi edhe një masë të re për bashkëfinancimin e zejtarëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe prodhimit në vend.
