Çmimet e banesave në Shkup kalojnë 2.150 euro për m², një apartament 60 m² kushton rreth 129 mijë euro

Çmimet e apartamenteve në Shkup po shënojnë rritje të madhe, me çmimin mesatar të kërkuar në shpallje që ka arritur në 2.153 euro për metër katror.

Krahasuar me vitin 2025, kur çmimi mesatar ishte rreth 1.670 euro për m², bëhet fjalë për një rritje prej afro 29 për qind.

Kjo do të thotë se për një apartament prej 60 metrash katrorë aktualisht kërkohen rreth 129 mijë euro, ndërsa një vit më parë një apartament i tillë do të kushtonte rreth 100 mijë euro.

Megjithatë, çmimet në shpallje nuk janë gjithmonë të njëjta me çmimet përfundimtare të shitjes. Të dhënat zyrtare nga Regjistri i Çmimeve dhe Qirave tregojnë gjithashtu rritje të çmimeve të realizuara. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, në Qendër është regjistruar një shitje me 3.360 euro për m².

Në zona si Qendra dhe Karposhi, çmimet mesatare të kërkuara janë tashmë mbi 2.100 euro për m², ndërsa apartamentet e reja në lokacione atraktive mund të kushtojnë edhe dukshëm më shumë.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, numri i shitjeve ka shënuar rënie. Në tremujorin e parë të këtij viti, numri i apartamenteve të shitura ishte 26,4 për qind më i ulët krahasuar me tremujorin paraprak.

Për familjet, rritja e çmimeve nënkupton një barrë të konsiderueshme financiare. Për të njëjtin apartament prej 60 m², diferenca mes çmimit mesatar të vitit 2025 dhe atij aktual është rreth 29 mijë euro.