Gjykata italiane ka dënuar me 30 vite burg Elona Kaleshin, 38-vjeçaren shqiptare e akuzuar për vrasjen dhe copëtimin e Shpëtim dhe Teuta Pashos, prindërit e ish të fejuarit të saj, Taulant Pasho.
Çifti ishte zhdukur që në tetor të vitit 2015, ndërsa trupat e tyre u zbuluan vetëm në dhjetor të vitit 2020, të fshehura në disa valixhe të braktisura pranë burgut të Sollicciano-s dhe superstradës Firenze–Pisa–Livorno.
Vendimi për dënimin me 30 vite burg u dha nga Gjykata e Firences më 4 maj 2023, ndërsa prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm.
Sipas hetimeve, krimi dyshohet se është kryer në apartamentin që Kaleshi kishte marrë me qira për prindërit e partnerit të saj. Motivi, sipas organit të akuzës, lidhet me frikën se ata do t’i tregonin djalit të tyre se ajo kishte abortuar një shtatzëni të krijuar me një person tjetër gjatë kohës që ai ndodhej në burg.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se nuk është provuar në mënyrë të qartë nëse ajo është autore e krimit dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.
