Aksident në Mal të Zi: Autobusi me rreth 90 nxënës përplaset me shkëmbin

Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Mal të Zi, në rrugën magjistrale Mojkovac–Kollashin, ku një autobus me rreth 90 nxënës që po ktheheshin nga ekskursioni është përplasur me një shkëmb.

Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35, në zonën e lumit Shtitarica. Dyshohet se nga shpati kanë rënë gurë në rrugë dhe shoferi ka tentuar t’i shmangë, por pjesa e përparme e autobusit është përplasur me shkëmbin.

Si pasojë, udhëheqësi i udhëtimit ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa katër persona të tjerë kanë marrë lëndime më të lehta. Në mesin e të lënduarve janë edhe tre nxënës të shkollës fillore “Pavle Rovinski” nga Podgorica.

Sipas mediave malazeze, personi i lënduar rëndë ka pësuar frakturë të legenit dhe të rruazave të shtyllës kurrizore dhe është transferuar në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Të lënduarit fillimisht janë dërguar në spitalin e Bijelo Poles.

Pas aksidentit, disa prej nxënësve janë kthyer drejt Podgoricës me automjete të transportuesve privatë, ndërsa për pjesën tjetër është siguruar një autobus tjetër nga agjencia që organizoi ekskursionin. Disa prindër kanë shkuar në vendngjarje për t’i marrë fëmijët e tyre.