Brikena konfirmon ndarjen me Mateon

Pas aludimeve dhe sinjaleve të shumta në rrjetet sociale, ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar për ndarjen e ish-banorëve të “Big Brother VIP Albania 5”, Brikena dhe Mateo.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Brikena përmes një mesazhi të publikuar në grupin e saj të fansave në Instagram, ku ka konfirmuar se lidhja me Mateon ka marrë fund.

Në mesazhin e saj, ajo ka theksuar se ndarja ka ndodhur me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, pa dhënë detaje të tjera rreth arsyeve që çuan në përfundimin e marrëdhënies.

Reagimi:

“Përshëndetje të gjithëve! Nuk e kam pasur të lehtë të shkruaj këtë mesazh deri më sot, sepse gjithmonë kam preferuar që gjërat personale t’i mbaj private. Megjithatë, duke parë interesimin dhe pyetjet e shumta, mendoj se tani më shumë se kurrë ju detyrohem një sqarim.

Po, unë dhe Mateo nuk jemi më bashkë. Dua të theksoj se nuk ka pasur asnjë mungesë respekti nga asnjëri prej nesh. Kjo është një gjë që dua ta them qartë, sepse nuk do të doja që të krijoheshin histori apo aludime që nuk janë të vërteta.

Kam ende respekt për të dhe për gjithçka kemi kaluar bashkë. Ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe për këtë do të jem gjithmonë mirënjohëse. Ndonjëherë në jetë rrugët ndahen, por kjo nuk do të thotë se duhet të ketë urrejtje apo fajësime.

Për momentin kam vendosur edhe të largohem nga disa grupe. Jo sepse nuk ju vlerësoj apo nuk ju dua, por sepse më bën keq të shoh postime, komente apo diskutime rreth kësaj situate. Kam nevojë për pak qetësi dhe kohë për veten time.

Ju falenderoj nga zemra për gjithë dashurinë, mbështetjen dhe respektin që më keni dhënë gjithmonë. Do t’ju jem mirënjohëse pafund për çdo fjalë të mirë dhe për çdo moment që keni qenë pranë meje. Me dashuri”