Shkëndija i vendos kusht FFM-së: Ose korrigjim, ose largim nga futbolli!

Udhëheqësia e KF Shkëndija dhe sponsori i klubit, “Ecolog”, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), duke e cilësuar atë si skandaloz dhe të qëllimshëm.

Nga klubi tetovar theksojnë se Shkëndija është një nga subjektet më stabile në futbollin e vendit, që ndër vite ka funksionuar me seriozitet dhe korrektësi, duke përmbushur të gjitha obligimet sportive dhe financiare.

Në reagim thuhet se kontributi i Shkëndijës në arenën ndërkombëtare ka qenë i rëndësishëm për ngritjen e koeficientit të futbollit vendor, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet në vend.

“Është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme”, thuhet në reagim.

Klubi dhe sponsori paralajmërojnë se, nëse FFM-ja nuk e rishqyrton dhe korrigjon vendimin, do të shqyrtojnë seriozisht mundësinë e tërheqjes nga futbolli në Maqedoninë e Veriut.

Reagimi vjen pasi FFM-ja shqiptoi masa të rënda disiplinore ndaj Shkëndijës për incidentet e ndodhura në finalen e Kupës. Klubi u dënua me 105 mijë euro gjobë, përjashtim nga Kupa e Maqedonisë për sezonin 2026/2027 dhe katër ndeshje pa praninë e tifozëve në sezonin e ardhshëm.