Bekim Sali ka njoftuar nisjen e fushatës “Maj – Muaji i Evropës”, e cila u zhvillua së bashku me ambasadorë, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Sipas tij, këtë vit është vendosur që Dita e Evropës të mos kufizohet vetëm në një datë simbolike, por i gjithë muaji maj të shndërrohet në një platformë informuese dhe afruese për procesin e integrimit evropian.
“Qëllimi ynë është i qartë: të zhvendosim fokusin nga aspektet teknike të negociatave drejt përfitimeve konkrete që sjell Bashkimi Evropian – më shumë mundësi për të rinjtë, zhvillim të infrastrukturës dhe mbështetje për ekonominë lokale”, u shpreh Sali.
Ai shtoi se gjatë muajit do të prezantohen histori suksesi nga projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian, të cilat sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Fushata, sipas tij, është prioritet i Qeverisë dhe realizohet në bashkëpunim me shoqërinë civile, universitetet, bizneset dhe institucionet kulturore, me synim afrimin më të madh të qytetarëve me procesin e “evropianizimit”.
