BE po ndryshon rregullat për “Made in Europe”: Çfarë pritet për kompanitë e RMV-së?

Bashkimi Evropian po propozon një politikë të re industriale që synon të rrisë prodhimin brenda Evropës dhe të përdorë më shumë kriteret “Made in EU” dhe ato për emetimet e ulëta të karbonit në prokurimet publike dhe skemat e mbështetjes shtetërore.

Përmes Industrial Accelerator Act, Komisioni Evropian propozon masa për sektorë strategjikë si çeliku, çimentoja, alumini, automobila dhe teknologjitë neto-zero. Synimi është që pjesa e industrisë përpunuese në ekonominë e BE-së të rritet nga 14.3% në vitin 2024 në 20% deri në vitin 2035.

Komisioni e lidh këtë nismë me forcimin e prodhimit evropian, uljen e varësisë nga furnizuesit jashtë BE-së dhe krijimin e zinxhirëve më të qëndrueshëm të furnizimit.

Po kompanitë nga Maqedonia e Veriut?

Çështja mund të jetë e rëndësishme për kompanitë vendase që janë pjesë e zinxhirëve të furnizimit të industrisë evropiane. Maqedonia e Veriut nuk është anëtare e BE-së, ndaj produktet e prodhuara në vend nuk konsiderohen automatikisht “Made in EU”.

Megjithatë, propozimi i Komisionit parashikon edhe trajtim të caktuar për partnerët me marrëveshje tregtare me BE-në, në varësi të sektorit dhe llojit të masës.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, BE-ja është një grup i rëndësishëm partnerësh tregtarë për Maqedoninë e Veriut, ndërsa statistikat zyrtare vazhdojnë të raportojnë veçmas tregtinë me BE-në.

Për bizneset maqedonase, ndikimi konkret do të varet nga teksti përfundimtar i ligjit dhe mënyra se si do të zbatohen kriteret për origjinën, prokurimet publike dhe mbështetjen publike.

Aktualisht, Industrial Accelerator Act është ende propozim dhe duhet të negociohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së para miratimit përfundimtar.