Aurela Gaçe: “Kam protestuar që studente, nuk mund të quhem armike”

Prej më shumë se një muaji në Tiranë po mbahen protesta të përditshme për mbrojtjen e Nartës dhe Zvërnecit.

Në kuadër të kësaj revolte, në rrugët e kryeqytetit janë afishuar foto të disa artistëve të njohur si Luiz Ejlli, Noizy, Elvana Gjata e të tjerë, të cilët janë kryqëzuar dhe cilësuar si “armikë” për shkak të mosmbështetjes së tyre.

Së fundmi, në këto lista të zeza është përfshirë edhe fotoja e këngëtares shqiptare, Aurela Gaçe. Ky veprim ka nxitur një reagim tejet të ashpër dhe emocional nga ana e këngëtares në rrjetet sociale.

Përmes një postimi të gjatë, Aurela Gaçe ka shpërndarë foton e saj të kryqëzuar mbi një pemë, si edhe të gjitha reagimet e saj të shumta në rrjetet e saj sociale në lidhje me protestën si edhe foto ku merrte pjesë në marshim, duke iu përgjigjur personit që e cilësoi si armike. Ajo ka kujtuar se kontributi dhe reagimi i saj qytetar datojnë që në rininë e hershme.

“Kam dalë në protesta unë qysh studente e për Armët kimike, e kam protestuar me gjithë qenien time edhe me tekste shumë të forta këngësh, e sigurt që vajza në fjalë mbase nuk është në dijeni. Madje, mbase nuk është në dijeni se kam qenë edhe në shesh krah popullit tim edhe tani,” ka shkruar ajo, duke theksuar se ka reaguar gjithmonë në mënyrën e saj.

Këngëtarja ka dënuar ashpër mënyrën se si po tentohet t’i imponohet mendimi dhe sjellja, duke e krahasuar këtë me metodat e diktaturës.