Astrit Iseni i përgjigjet BDI-së: “Konkursi për policë dhe ai për nxënës janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme”

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së lidhur me konkursin për pranimin e nxënësve në shkollat e mesme të policisë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këtë proces.

Iseni ka theksuar se po deformohen faktet dhe se konkursi për policë dhe konkursi për nxënës në shkollat e mesme janë dy procese krejtësisht të ndryshme.

“Konkursi për policë dhe konkursi për nxënës në shkollat e mesme, përveç se janë dy konkurse të ndryshme, nuk kanë asgjë të përbashkët”, ka shkruar Iseni.

Ai ka kritikuar pretendimet e publikuara në opinion, duke thënë se tashmë ka dhënë sqarime të bazuara në fakte dhe argumente për mënyrën e zhvillimit të proceseve.

“Mbrëmë sqarova me fakte dhe argumente çdo paqartësi, jo për ‘Shtabin Sot’, por për opinionin publik, ndaj të cilit kemi përgjegjësi t’i shërbejmë në çdo situatë”, ka theksuar zëvendësministri.

Iseni ka reaguar edhe ndaj mënyrës se si, sipas tij, po paraqiten të dhënat rreth konkurseve, duke e akuzuar BDI-në dhe publikimet që ai kundërshton për deformim të realitetit dhe tentativë për manipulim të opinionit.
“Po e mbyll me këtë që, nëse ‘Shtabi Sot’ e ngatërron pa dashje konkursin e punësimit me atë të shkollës së mesme, ka nevojë për një rikthim në bankat e shkollës së mesme, nëse kjo bëhet me qëllim, atëherë nuk është gjë tjetër veçse një tentativë amatoreske për manipulim”, shkruan Iseni.