Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të përfitojnë nga sistemi “Roaming si në shtëpi” duke filluar nga janari i vitit 2027. Këtë e bëri të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë një takimi informues me gazetarët.
Sipas tij, të gjitha përgatitjet nga ana e vendit janë përfunduar dhe tani pritet nënshkrimi i marrëveshjes me Komisioni Evropian. Me zbatimin e këtij sistemi, qytetarët do të paguajnë të njëjtat tarifa për telefonata, mesazhe dhe internet në vendet e Bashkimit Evropian si ato që paguajnë në vendin e tyre.
Andonovski theksoi se synimi është që negociatat të përfundojnë gjatë këtij viti, ndërsa marrëveshja të kalojë procedurat qeveritare dhe parlamentare, në mënyrë që vendi të jetë ndër të parët në Ballkanin Perëndimor që do ta zbatojë këtë model.
Ministri prezantoi gjithashtu sistemin e ri “Licenca SMART”, i cili do të mundësojë lëshimin dhe verifikimin elektronik të licencave përmes një regjistri digjital dhe kodeve QR.
Sipas tij, sistemi aktualisht ndodhet në fazë testimi dhe pritet të vihet zyrtarisht në funksion deri në fund të këtij muaji, duke lehtësuar verifikimin e licencave dhe duke rritur transparencën për qytetarët dhe bizneset.
