Itali: Masa të reja në arsim, ndalohet burka dhe kufizohet numri i nxënësve të huaj

Këshilli i Ministrave i Italisë ka miratuar një dekret të ri për arsimin, i cili përfshin ndalimin e burkës dhe nikabit në shkolla, si dhe masa të reja për integrimin e nxënësve të huaj.

Sipas rregullave të reja, nxënësit nuk do të mund të marrin pjesë në mësime, aktivitete jashtëshkollore apo takime shkollë-familje me fytyrën të mbuluar në mënyrë që pengon identifikimin. Përjashtime parashikohen për arsye specifike shëndetësore ose sigurie.

Shkelja e ndalimit mund të sjellë gjoba nga 200 deri në 1.000 euro. Në rastet kur shkelja kryhet nga një i mitur, gjoba i ngarkohet prindit.

Dekreti parashikon gjithashtu një kufi prej 30% për kategori të caktuara të nxënësve me shtetësi të huaj në klasat e vitit të parë. Në shkollat fillore, rregulli lidhet me nxënësit që nuk kanë lindur në Itali ose nuk kanë ndjekur të paktën dy vite parashkollor. Në shkollat e mesme, kriteri lidhet me nxënësit që nuk kanë përfunduar të paktën tre vite në sistemin italian të arsimit.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha se aktualisht rreth 34 mijë klasa kanë më shumë se 30% nxënës të huaj dhe theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës italiane për integrimin.