Drejtorët në detyrë do të mund të ushtrojnë këtë funksion për më së shumti gjashtë muaj, pas së cilës do të jetë e detyrueshme shpallja e një konkursi publik për zgjedhjen e drejtuesit të institucionit.
Ky është një nga ndryshimet kryesore të Ligjit për Shërbimin e Lartë Drejtues, zbatimi i të cilit nis më 1 tetor.
Ligji sjell edhe kritere më të rrepta për përzgjedhjen e drejtuesve, ndërsa bordet drejtuese do të zvogëlohen dhe do të mund të kenë maksimumi tre anëtarë.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, deklaroi se Qeveria është e gatshme të nisë menjëherë zbatimin e rregullave të reja.
Nga rreth 100 pozita drejtuese që përfshihen nga ligji, për rreth 20 prej tyre pritet të shpallen menjëherë konkurse publike.
Sipas planit, procedurat për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
