Banorët e Gostivarit nuk do të paguajnë faturat e ujit të pijshëm për një muaj, pas vendimit të marrë sot nga Këshilli i Komunës.
Vendimi është marrë si masë për të lehtësuar pasojat e krizës dhe epidemisë që zgjati rreth një muaj.
Gjatë seancës është diskutuar edhe mundësia që qytetarët të përjashtohen nga pagesa për dy ose tre muaj. Kryetari i Këshillit, Valdet Xhaferi, tha se një masë e tillë do të duhej të ishte e zbatueshme në praktikë.
Ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Almir Dauti, vlerësoi se pasi gjendja e jashtëzakonshme me furnizimin me ujë zgjati një muaj, është e mjaftueshme që qytetarët të lirohen nga pagesa për muajin gusht.
