Rogert Sterkaj pretendon se ka një marrëveshje me Selin Bollatin për 10 mijë euro

Ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Rogert Sterkaj, ka rikthyer në vëmendje një pretendim lidhur me çmimin e fituar nga Selin Bollati në edicionin e pestë të reality show-t.

Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Rogerti shfaqet pranë avokates së tij, Aurora Marku, duke treguar se ka kërkuar këshillim ligjor për një marrëveshje që, sipas tij, kishte bërë më herët me Selin.

“Po sikur atë paktin tonë që kishim rënë dakord, 10 mijë euroshin tim, do ishte mirë me e pru. Jam këtu te avokatja, po shohim anët ligjore”, shprehet ai në video.

Sipas Rogertit, bëhet fjalë për një shumë prej 10 mijë eurosh që ai pretendon se i takon bazuar në marrëveshjen mes tyre. Ai ka deklaruar gjithashtu se deri tani nuk ka mundur të komunikojë me Selinin për këtë çështje.

Avokatja Aurora Marku ka bërë të ditur se situata lidhet me një marrëveshje verbale mes palëve. Hapi i parë, sipas saj, do të jetë kontakti me Selin Bollatin për të diskutuar pretendimin dhe për të parë nëse mund të gjendet një zgjidhje mes palëve.

Në rast se komunikimi nuk sjell një marrëveshje, avokatja ka lënë të hapur mundësinë që çështja të ndiqet edhe në rrugë ligjore.

Ndërkohë, Selin Bollati ka konfirmuar publikisht se ka marrë çmimin e fituar në “Big Brother VIP Albania 5”. Mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje apo pretendimi për 10 mijë euro do të përfundojë në një proces gjyqësor.