Egla Ceno rrëfen përplasjen me Edi Ramën: “Më tha të dilja jashtë”

Një përplasje e tensionuar mes Egla Cenos dhe kryeministrit Edi Rama është bërë publike pas një takimi në Berat, ku u diskutua reforma territoriale.

Ceno, e cila mori pjesë në takim në cilësinë e përfaqësueses së Poliçanit, ka rrëfyer për “VIP Magazine” momentet e tensionuara gjatë diskutimit. Në takim ishin të pranishëm edhe qytetarë nga bashkitë Poliçan dhe Dimal.

Sipas rrëfimit të saj, pas prezantimit të reformës nga Rama, kryeministri nisi t’u drejtonte pyetje të pranishmëve, por situata u tensionua kur Ceno kërkoi që të dëgjohej edhe zëri i qytetarëve.

Ajo pretendon se Rama i kërkoi të largohej nga takimi. Ceno i është përgjigjur se ishte e gatshme të dilte, por ndodhej aty si përfaqësuese e qytetit të saj. Më pas, ajo e pyeti nëse takimi do të ishte një monolog apo një dialog.

Pas përplasjes, sipas Cenos, kryeministri vendosi që diskutimi të mos vijonte për sa kohë ajo ishte në sallë.

Megjithatë, situata mori një tjetër drejtim kur qytetarët e pranishëm reaguan dhe u ngritën në mbështetje të saj. Sipas saj, ata nuk e lejuan të largohej vetëm dhe në fund vendosën të dilnin të gjithë së bashku nga takimi.