Sekretari i VLEN-it dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka uruar Albin Kurtin për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, transmeton ZYRTARE.net
Sali, në urimin e tij, ka theksuar se formimi i Qeverisë së re paraqet një hap të rëndësishëm për konstituimin dhe funksionimin e plotë të institucioneve të Kosovës.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe në emrin tim personal, i uroj Kryeministrit Albin Kurti votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sali.
Ai Kurtit dhe Qeverisë së re u ka uruar sukses në përgjegjësitë e tyre dhe punë të mbarë në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes së Kosovës.
Sali ka vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke theksuar se të dyja vendet, siç shprehet ai, “mike dhe vëllezërore”, kanë interesa të përbashkëta.
“Prandaj besoj edhe në vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha fushat”, ka shkruar Sali.
