Nga sot, trotinetët elektrikë vetëm për personat mbi 18 vjeç, ndalohet edhe bartja e një personi të dytë

Nga sot kanë hyrë zyrtarisht në fuqi ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, të cilat vendosin rregulla më të rrepta për përdorimin e trotinetëve elektrikë.

Sipas ndryshimeve, trotinet elektrik do të mund të drejtojë vetëm një person që ka mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa më parë kufiri minimal ishte 14 vjeç.

Ligji përcakton gjithashtu se shpejtësia maksimale në shtigjet dhe korsitë e biçikletave është 20 km/orë, ndërsa në trotuare, shtigje për këmbësorë dhe shtigje të përziera nuk duhet të kalojë 6 km/orë.

Në rast se drejtuesi duhet të kalojë rrugën ose vendkalimin për këmbësorë dhe nuk ka shteg apo korsi për biçikleta, ai është i detyruar të zbresë nga trotineti dhe ta shtyjë atë.

Ndryshimet ndalojnë edhe transportimin e një personi tjetër me trotinet elektrik. Në rast shkeljeje, do të sanksionohen si drejtuesi, ashtu edhe pasagjeri.

Mbajtja e helmetës mbrojtëse është tashmë e detyrueshme për të gjithë drejtuesit, ndërsa gjatë natës ose në kushte me dukshmëri të kufizuar mbetet i detyrueshëm edhe përdorimi i jelekut reflektues.

Përveç gjobave, ligji parashikon edhe konfiskimin e përkohshëm të trotinetit elektrik deri në 30 ditë për shkelje të caktuara. Në rast se shkelësi është i mitur, përgjegjësinë do ta mbajnë prindërit ose kujdestarët e tij.