Rriten rastet me salmonelë në Lamia, ekspertët japin paralajmërimin

Autoritetet shëndetësore në Greqi kanë ngritur alarmin pas një numri të shtuar rastesh me salmonelë në qytetin e Lamias, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes.

Kryetari i Këshillit Shkencor të Organizatës Helenike të Shëndetit Publik, Theodoros Vasilakopoulos, deklaroi se, si masë paraprake, qytetarët duhet të shmangin konsumimin e mishit të pulës në Lamia për dy deri në tre ditët e ardhshme, derisa të përcaktohet burimi i infeksionit.

Ai paralajmëroi se mund të regjistrohen edhe raste të tjera, pasi periudha e inkubacionit të salmonelës zgjat nga tre deri në katër ditë, por theksoi se nuk ka vend për panik.

Sipas tij, shtimi i rasteve të hospitalizuara lidhet edhe me vigjilencën më të madhe të mjekëve pas publicitetit që ka marrë ky rast.

Vasilakopoulos u shpreh optimist se situata do të vihet shpejt nën kontroll dhe se qytetarët e Lamias do të mund ta konsumojnë sërish mishin e pulës pa rrezik, sapo të përfundojnë kontrollet dhe të identifikohet shkaku i shpërthimit.