Mimoza Ahmeti drejt muzikës? Zbulon ofertat nga Tayna dhe Bujaka

Pas fitores në edicionin e tretë të “Ferma VIP”, shkrimtarja dhe autorja e njohur Mimoza Ahmeti ka folur për përvojën e saj në reality show dhe planet që e presin pas përfundimit të garës.

Në një intervistë për Vizion Plus, Ahmeti e përshkroi eksperiencën në fermë si një sfidë të veçantë, por edhe si një mundësi për të treguar një anë tjetër të personalitetit të saj.

Ajo zbuloi se pas daljes nga programi ka marrë oferta për bashkëpunime muzikore, ndërsa veçoi emrin e reperes Tayna, e cila, sipas saj, ka shprehur dëshirën për të realizuar një projekt të përbashkët.

“Jam shumë e lumtur që Tayna ka shprehur dëshirën për të punuar me mua në një projekt muzikor. Është një nder të kem një artiste si ajo që dëshiron të bashkëpunojë me mua”, u shpreh Ahmeti.

Me nota humori, ajo tregoi se edhe ish-konkurrenti Bujaka i ka propozuar një bashkëpunim, por iu përgjigj se duhej të priste, pasi Tayna kishte bërë ofertën e parë.

Deklarata e saj ka ngjallur kureshtje te publiku, ndërsa mbetet për t’u parë nëse këto bashkëpunime do të konkretizohen në projekte muzikore në të ardhmen.