Bekim Sali: Debati në Parlamentin Evropian konfirmon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka përshëndetur debatin e zhvilluar në Parlamentin Evropian mbi Raportin për Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të vendit.

Sipas Salit, mesazhet e eurodeputetëve dhe deklaratat e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, tregojnë se vendi ka potencial të bëhet pjesë e valës së ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se ky është një inkurajim për institucionet që të vazhdojnë me intensitet zbatimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Bekim Sali nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një zgjedhje strategjike, e cila do të sjellë institucione më të forta, zhvillim ekonomik dhe më shumë mundësi për qytetarët.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe dialogut konstruktiv, në përputhje me Kornizën Negociuese dhe parimet e Bashkimit Evropian.