Këshilltarët komunalë kërkojnë seancë urgjente për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrugët në Tetovë

Këshilltarët komunalë të Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Lidhja Shqiptare kanë kërkuar thirrjen e një seance urgjente të Këshillit Komunal, ku të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave në shqip të rrugëve dhe shesheve në qytet.

Në një konferencë për media, këshilltari Berat Murati deklaroi se ky vendim përbën një goditje të qëllimshme ndaj identitetit shqiptar dhe dinjitetit të qytetarëve të Tetovës.

“Kërkuam seancë urgjente në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, që nuk është vetëm vendim, por një goditje ndaj identitetit shqiptar dhe dinjitetit tonë. Në vitin 2006, BDI e miratoi këtë vendim me votat e të gjithë këshilltarëve nga të gjitha komunitetet dhe sipas parimit të Badinterit. Sot kërkojmë që ky vendim të rimiratohet sërish. Tetova nuk guxon të kthehet prapa, duhet të mbrohet historia jonë”, tha Murati.

Ai shtoi se, nëse BDI vendos të organizojë protesta kundër Gjykatës Kushtetuese, këshilltarët e koalicionit do ta mbështesin një veprim të tillë.