Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, ka njoftuar se është përmbyllur procesi i sistemimit të anëtarëve të Ansamblit, duke e cilësuar këtë si një nga zotimet më të rëndësishme të realizuara gjatë mandatit të tij.
Ai theksoi se takimi i tij i parë pas marrjes së detyrës ishte me anëtarët e Ansamblit, të cilët sipas tij kishin mbetur pa punë pas ndërprerjes së kontratave nga drejtuesit e mëparshëm.
Sulejmani bëri të ditur se procesi i rikthimit dhe sistemimit të artistëve është zhvilluar në disa faza për shkak të procedurave administrative dhe teknike, ndërsa sot është përmbyllur faza e tretë dhe e fundit me nënshkrimin e pesë vendimeve të fundit të punësimit.
“Sot e kompletuam Ansamblin me gjithsej 45 vendime pune”, ka shkruar Sulejmani, duke vlerësuar se ky është një moment i rëndësishëm për artistët dhe për kulturën në vend.
Sipas tij, gjatë mandatit janë realizuar edhe mbi 80 punësime të tjera në institucione kulturore, ndërsa ka theksuar se investimi në kulturë është investim në identitet, traditë dhe dinjitet kombëtar.
“Pas një viti e gjysmë në detyrë, ndihem krenar që kemi arritur të kthejmë dinjitetin e shumë artistëve dhe punonjësve të kulturës”, ka deklaruar Sulejmani.
