BDI ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës të vitit 2007, me të cilin rrugët e qytetit kishin marrë emra që, sipas kësaj partie, pasqyronin historinë dhe identitetin shqiptar.
Në reagimin e saj, BDI e ka cilësuar këtë vendim si një goditje ndaj vlerave dhe realitetit të krijuar pas Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se emërtimet e rrugëve përfaqësonin, sipas tyre, dinjitetin dhe historinë e shqiptarëve në Tetovë.
“Sulmi ndaj çdo vlere shqiptare dhe ndaj realitetit të krijuar pas Marrëveshjes së Ohrit po vazhdon. Kësaj radhe janë vënë në shënjestër emrat e rrugëve në Tetovë”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një hap mbrapa dhe rrezikon, siç thonë ata, bashkëjetesën dhe barazinë në vend. Partia thekson se kjo situatë synon kthimin e Tetovës në një realitet të vjetër diskriminimi dhe përjashtimi.
Deklarata e BDI-së vijon me kritika ndaj udhëheqjes aktuale të Komunës së Tetovës, duke e akuzuar për mosveprim dhe paaftësi për të mbrojtur vendimet e mëhershme institucionale.
Sipas Bajram Rexhepit nga BDI, vendimi nuk është vetëm juridik, por edhe politik, dhe përbën, siç u shpreh ai, një mesazh të drejtpërdrejtë kundër identitetit dhe historisë së shqiptarëve.
BDI gjithashtu ka akuzuar aktorët shqiptarë në qeveri për heshtje dhe nënshtrim ndaj vendimeve që, sipas tyre, cenojnë dinjitetin kombëtar.
