Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, Maqedonia e Veriut është zgjedhur anëtare e një prej organeve kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Vendi siguroi 174 vota pro në procesin e zgjedhjes, duke u bërë pjesë e Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC), së bashku me Portugalinë, Gjermaninë, Francën dhe disa shtete të tjera.
ECOSOC është një nga gjashtë organet kryesore të OKB-së dhe luan rol qendror në trajtimin e çështjeve ekonomike, sociale dhe mjedisore në nivel global. Ky organ shërben si platforma kryesore për dialog, koordinim dhe bashkëpunim ndërkombëtar mes shteteve anëtare dhe institucioneve të ndryshme të sistemit të OKB-së.
Ndër detyrat kryesore të ECOSOC-it janë koordinimi i politikave ndërkombëtare në fushën ekonomike dhe sociale, monitorimi i zbatimit të Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, si dhe promovimi i bashkëpunimit mes qeverive, organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit akademik.
Zgjedhja e Maqedonisë së Veriut në këtë organ konsiderohet një arritje e rëndësishme diplomatike dhe një mundësi për të kontribuar më aktivisht në proceset globale që lidhen me zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor.
