Reperi Stresi ka folur për herë të parë në mënyrë të zgjeruar rreth angazhimit të tij në politikë, pas përfshirjes si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ai tregoi se po mundohet të balancojë karrierën muzikore me përgjegjësitë e reja politike.
Sipas tij, vendimi për t’u bashkuar me strukturat e PD-së është personal dhe lidhet me bindjet familjare, të cilat, siç tha ai, kanë qenë prej vitesh të lidhura me këtë forcë politike.
Stresi theksoi se aktualisht është i angazhuar në takime me të rinjtë dhe në nxitjen e anëtarësimeve të reja, duke shtuar se dëshiron të ketë së shpejti edhe një takim me kreun e PD-së, Sali Berisha.
Gjatë intervistës, reperi u ndal edhe te raporti i tij me Noizyn, duke deklaruar se pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, mes tyre nuk ka konflikte dhe marrëdhënia mbetet korrekte, shpesh edhe me humor.
Ai foli gjithashtu për ambiciet e tij në politikë, duke lënë të hapur mundësinë për një rol më të madh në të ardhmen, ndërsa komentoi edhe zhvillime të ndryshme publike në vend.
Në fund, Stresi u ndal edhe te jeta personale, duke treguar se aktualisht është beqar dhe se ka një ide të qartë për partneren që dëshiron në të ardhmen.
“Nusen e ardhshme e dua politikane dhe serioze”, u shpreh ai me humor.
