Programi për menaxhim me tokën ndërtimore për vitin 2026 ka nxitur reagime dhe akuza të forta në Tetovë, duke u cilësuar si “lista më e madhe e shitjes së pronës publike” në periudhën e pluralizmit politik.
Sipas reagimeve publike, në program parashihen për shitje 21 parcela me mbi 56 mijë metra katrorë tokë publike, me çmime fillestare që variojnë nga 1 deri në 73 euro.
Në mesin e parcelave të përmendura janë hapësira me rëndësi publike si parkingu te Vero, Qendra Sportive, toka në Saraqinë me çmim prej 61 denarë për metër katror, si dhe parcela në Reçicë të Vogël, ku banorët prej vitesh kërkojnë ndërtimin e një çerdheje.
Në reagim përmendet edhe rasti i njohur si “Skema e Monopolit”, duke u pretenduar se modeli i tjetërsimit të pronës publike po vazhdon edhe me programin e ri.
“Programi i vitit 2026 duket si vazhdim i së njëjtës skemë kriminale. Prona e qytetarëve trajtohet si pronë e pushtetit”, thuhet në reagim.
Sipas kritikëve, në vend që këto hapësira të përdoren për parkingje publike, gjelbërim, çerdhe, sport dhe rekreacion, ato po nxirren në ankand dhe po u kalojnë personave të afërt me pushtetin lokal.
“Toka shitet, populli plaçkitet!”, përfundon reagimi.
