Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Komunën e Tetovës, ndërsa BDI ka reaguar duke e cilësuar këtë si një skandal institucional dhe dështim të rëndë të autoriteteve.
Sipas BDI-së, në arsyetimin e Gjykatës thuhet se ajo ka kërkuar në disa raste dokumentacion nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria për mbrojtjen e vendimit, por këto institucione nuk kanë dorëzuar materialet e kërkuara.
BDI thekson se Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk kanë reaguar as pas kërkesave të përsëritura, duke e quajtur këtë mosveprim si papërgjegjësi politike që ka sjellë pasoja direkte për qytetarët.
Në reagim ngrihen edhe pyetje se kush ka vendosur mosdorëzimin e dokumenteve dhe nëse bëhet fjalë për neglizhencë apo vendim të qëllimshëm politik.
BDI kërkon përgjegjësi të plotë nga institucionet për, siç thotë ajo, mosmbrojtjen e një vendimi që lidhet me identitetin urban të Tetovës.
