Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar 500 mijë euro cash të fshehura në një bunker të ndërtuar posaçërisht brenda një minibusi në pikën kufitare “Tabanoc”.
Sipas autoriteteve doganore, paratë janë zbuluar gjatë një kontrolli të detajuar të automjetit që po hynte nga Shqipëria dhe transportonte shtatë pasagjerë.
Drejtori i Doganës, Boban Nikollovski, deklaroi se bëhet fjalë për sekuestrimin më të madh të parave cash në historinë e Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut.
“Sektori i Kontrollit dhe Hetimeve ka parandaluar një përpjekje për transferim të paligjshëm të gjysmë milioni eurove, të fshehura në një bunker brenda një minibusi”, deklaroi Nikollovski.
Shtetasi shqiptar me inicialet XH.G., i cili drejtonte minibusin në pronësi të një agjencie udhëtimesh nga Shqipëria, po ndiqet sipas ligjit, ndërsa automjeti dhe devizat janë konfiskuar.
Rasti është zbuluar gjatë një operacioni të Departamentit Operativ në hyrje të pikës kufitare “Tabanoc”, ndërsa për këtë çështje tashmë është përfshirë edhe Gjykata Themelore në Kumanovë.
