BDI: Në shtet demokratik nuk pengohen studentët që kërkojnë të drejtat e tyre

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj trajtimit të studentëve shqiptarë nga Tirana gjatë hyrjes së tyre në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar rastin si “skandal institucional”.

Në një kumtesë për media, BDI theksoi se studentët nuk kishin ardhur për të provokuar, por për të mbështetur kërkesën e studentëve shqiptarë për përdorimin zyrtar dhe të plotë të gjuhës shqipe.

“T’i ndalosh, t’i pengosh dhe t’i trajtosh si kërcënim studentët që solidarizohen me një kauzë gjuhësore e kombëtare, është akt i papranueshëm”, thuhet në reagim.

Nga partia opozitare thanë se videot e publikuara në media tregojnë qartë, sipas tyre, përmasa të keqtrajtimit nga ana e policisë, ndërsa pretenduan se studentët janë ndjerë “të marrë peng”.

BDI akuzoi institucionet për presion politik ndaj studentëve shqiptarë dhe dënoi ashpër sjelljen e policisë, duke përmendur edhe pretendime për kërcënime verbale dhe dhunë fizike ndaj një të mituri.

Në fund të reagimit, partia kërkoi përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe dorëheqjen e Astrit Iseni.

Sipas BDI-së, në një shtet demokratik nuk duhet të pengohen studentët që kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.