VLEN siguroi me ligj njohjen e shkollave fetare në RMV, thotë Kasami

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në një intervistë për “Euronews” ka folur për projektet që sipas tij janë realizuar gjatë qeverisjes së VLEN-it, duke theksuar se shumë prej tyre kishin mbetur të pazgjidhura për vite me radhë.

Kasami përmendi si një nga projektet më të rëndësishme çështjen e Medresesë, duke deklaruar se BDI e kishte premtuar për 20 vite pa e realizuar.

“Ne me ligj të veçantë i pranuam shkollat fetare dhe përfundimisht u zgjidh edhe statusi i Medresesë”, tha ai.

Sipas tij, në procedurë qeveritare tashmë ka kaluar edhe Ligji për përfaqësim të drejtë, që ai e cilësoi si një tjetër premtim të kahershëm të parealizuar.

Kasami theksoi se draft-propozimi pritet të kalojë së shpejti edhe në Kuvend dhe se me këtë shqiptarët do të kenë përfaqësim konform normave kushtetuese në institucionet shtetërore.

Ai foli edhe për projektet infrastrukturore që lidhen me Korridorin 8, duke përmendur rrugën Shkup-Bllacë dhe tunelin në aksin Tetovë-Prizren.

“Edhe pse kishte akuza se projektet do të ndaleshin, ato po realizohen me intensitet të shtuar”, deklaroi Kasami.