Lionel Messi: “Lamine Yamal më kujton veten kur isha i ri”

Ylli argjentinas i futbollit, Lionel Messi, ka veçuar talentin e ri të FC Barcelona, Lamine Yamal, si lojtarin që i ngjan më shumë atij në fillimet e karrierës.

Dy futbollistët janë krahasuar që nga momenti kur Yamal debutoi me ekipin e parë të Barcelonës, për shkak të stilit të ngjashëm të lojës, aftësive të driblimit dhe rolit në fushë. Të dy janë gjithashtu me këmbë të majtë dhe konsiderohen talente të lindur që në moshë shumë të re.

Messi theksoi se, duke marrë parasysh moshën dhe potencialin që ka Yamal, ai është lojtari që i sjell më shumë kujtimet e vetes në rini.

“Ka një gjeneratë të re futbollistësh shumë të mirë, por nëse do të zgjidhja një për moshën dhe të ardhmen që mund të ketë, do të ishte Lamine. Nuk ka dyshim, për mua ai është më i miri”, u shpreh Lionel Messi.

Yamal është bërë pjesë e rregullt e ekipit të parë të Barcelonës në një moshë shumë të hershme, duke tërhequr vëmendje të madhe për performancat e tij.

Messi gjithashtu foli për rivalitetin e tij të famshëm me Cristiano Ronaldo, duke e cilësuar si një periudhë “rivaliteti të bukur sportiv”, ku të dy garonin në nivelet më të larta me respekt të ndërsjellë.

Ai theksoi se gjithçka ka qenë vetëm sportive dhe se marrëdhënia mes tyre ka mbetur korrekte gjatë gjithë karrierës.