Federata e Futbollit të Maqedonisë ka bërë ndryshime në strukturat e saj, ku Visar Ganiu nuk do të vazhdojë më detyrën si zëvendësdrejtor i Qendrës për Edukim pranë FFM-së.
Sipas informacioneve, në vend të tij pritet të emërohet Mensur Jakupi, një trajner me përvojë të gjatë në futbollin vendor dhe një emër i njohur në zhvillimin e gjeneratave të reja.
Gjatë karrierës së tij, Jakupi ka qenë i angazhuar në disa klube të njohura, përfshirë KF Gostivarin dhe ekipet zinxhir të Shkëndijës së Tetovës. Aktualisht ai është pjesë e akademisë së KF Arsimit.
Përveç punës në nivel klubesh, Jakupi ka drejtuar edhe përfaqësueset U17 dhe U19 të Maqedonisë së Veriut, ndërsa zotëron licencën më të lartë trajneriale, UEFA Pro.
Së fundmi ai ishte pjesë e ekipit të instruktorëve dhe edukatorëve në Qendrën për Edukim të Trajnerëve, ku mori pjesë në realizimin e modulit të dytë të kursit UEFA B për gjeneratën e 32-të.
Emërimi i tij pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim, duke i besuar atij një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe edukimin e trajnerëve të rinj në futbollin vendor.
