Spitali Klinik i Tetovës po vazhdon me investime në shërbim të qytetarëve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e repartit të Kardiologjisë.
Transferimi i plotë i këtij reparti në hapësira të reja dhe më moderne vlerësohet si një avancim i rëndësishëm për pacientët nga Tetova dhe rajoni i Pollogut.
Reparti, i cili më parë funksiononte në objektin e vjetër të Internistikës, tashmë është vendosur në të njëjtin objekt ku kryhen intervenimet dhe procedurat kardiologjike, duke shmangur lëvizjet e panevojshme të pacientëve dhe duke rritur efikasitetin e trajtimit.
Njëkohësisht, reparti është pajisur me aparaturë të re mjekësore, përfshirë EKG moderne, ndërsa stafi mjekësor mbetet në gatishmëri të plotë për ofrimin e kujdesit maksimal ndaj pacientëve.
Nën drejtimin e drejtorit Erzen Elezi, spitali po synon ngritjen e standardeve shëndetësore dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët e gjithë rajonit.
