Partia Demokratike Shqiptare ka njoftuar se të shtunën, më 25 prill, do të mbajë mbledhjen e radhës të Kuvendit Qendror, ku do të diskutohen çështje që lidhen me organizimin e brendshëm të partisë dhe përgatitjet për Kongresin e IX.
Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja do të zhvillohet në ambientet e Hotel “NB” në Tetovë, duke filluar nga ora 11:30.
Në rend dite janë dy pika kryesore: përcaktimi i datës për mbajtjen e Kongresit të IX të PDSH-së dhe formimi i këshillit organizativ që do të merret me përgatitjet dhe aspektet teknike të kongresit.
Nga partia theksohet se ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm organizativ, që synon riorganizimin e strukturave dhe vendimmarrje për drejtimin e ardhshëm politik.
Mbledhja pritet të shënojë nisjen zyrtare të përgatitjeve për kongresin, në një periudhë me zhvillime të rëndësishme brenda subjektit politik.
